Shtylla Kurrizore

 

SHTYLLA KURRIZORE

 

Shtylla kurrizore përbëhet nga një bashkësi vertebrash (rruazash), përgjithësisht 32 ose 34, dhe shtrihet nga baza e kafkës deri tek bishti. Ajo shërben si strukturë mbajtëse e organizmit, si vend për kapjen e muskujve dhe si mbrojtëse e palcës kurrizore.

E parë nga anash, shtylla kurrizore paraqet disa harkime, të quajtura harkime fiziologjike: lordoza cervikale, kifoza dorsale dhe lordoza lumbare. Gjendje të ndryshme patologjike mund t’i deformojnë këto harkime. Vertebrat lidhen me njëra-tjetrën dhe artikulojnë nëpërmjet lidhjeve kockore dhe ligamentoze. Ndërmjet vertebrave ekziston një lloj amortizatori, disku ndërvertebror, i cili përbëhet kryesisht nga uji. Funksioni i tij është kompletimi dhe harmonizimi i lëvizjeve ndërmjet vertebrave. Vertebrat torakale (përgjithësisht 12) artikulojnë edhe me brinjët, të cilat përbëjnë një strukturë skeletike që njihet si kafazi i kraharorit, që shërben për mbrojtjen e organeve që ndodhen në toraks.

 

 

DHIMBJET E QAFES (CERVIKALGJITE)

Të dy sekset preken njëlloj nga dhimbjet e qafës. Shkaqet mund të jenë të shumta: traumatike (pas përplasjeve apo tërheqjeve muskulare), muskulare (në personat që punojnë gjatë në kompjuter ose në mjedise me ajër të kondicionuar), të lindura (nga problemet e muskulaturës skeletike), nga disfunksioni i boshtit endokrin (tiroiditet) dhe somato-emocionale. Përsa i përket shkakut të fundit, është parë që persona që janë shumë emotivë ose të stresuar shfaqin më shpesh dhimbje të qafës, që probabilisht shkaktohet nga tensioni i shtuar muskular.

 

 

Simptomat: janë të shumëllojshme, duke filluar me një ndjenjë rëndesë që shoqërohet nga dhimbja muskulare në zonën e qafës, kontrakturë e muskulit trapezius, kufizim i lëvizjeve të qafës, marrje mendsh, ndjenjë mpirje në duar (probabilisht nga protruzioni i diskut) etj. Nganjëherë edhe problemet e lidhura me përputhjen e harqeve të dhëmbëve dhe defektet e syve, si strabizmi apo çrregullimet e akomodimit, mund të shkaktojnë shpërthimin e dhimbjeve akute të qafës.

Diagnoza: Diagnostikimi i shpejtë dhe i saktë është thelbësor për trajtimin e mirë të dhimbjeve të qafës. Mund të përdoren një studim radiografik në tre projeksione, një ekzaminim me skaner apo rezonancë magnetike me ose pa lëndë kontraste, një ekzaminim elektromiografik i anësive të sipërme, kur dyshohet për një sindromë radikulare kompresive, një ekzaminim me eko dopler i enëve karotide të gjakut, për të përjashtuar turbulencat apo ngadalësimet e fluksit të gjakut apo një ekzaminim audiovestibular. Të gjithë këto ekzaminime duhen kryer pas një vizite të hollësishme dhe të kujdesshme ortopedike. Ortopedi mund të shfrytëzojë edhe konsultime me neurologun, për të përjashtuar sëmundje të ndryshme të sistemit nervor qëndror.

Trajtimi: Mjekimi është specifik për çdo pacient. Vlerësohen të gjithë faktorët specifikë, subjektivë apo objektivë, të pacientit. Në fazën akute fillohet një terapi farmakologjike, e cila bazohet në përdorimin e antiinflamatorëve josteroidë apo kortizonikëve, procedurave të fizioterapisë, përdorimit të rrymave analgjezike, lazerit, masazheve e gjimnastikës. Kohët e fundit janë arritur rezultate të mira me përdorimin e terapisë Tecar®. Gjimnastika posturale individuale dhe/ose trajtimet osteopatike janë metoda me efektshmëri të dyshimtë, por, nga ana tjetër, këto janë metoda që duhen përdorur vetëm nga specialistë me përvojë të madhe në këtë lloj trajtimi.  

 

DHIMBJA E MESIT (LUMBALGJIA)

Eshtë dhimbja muskuloskeletike më e zakonshme. Shfaqet në pjesën më të madhe të rasteve tek të rriturit, por mund të vihet re edhe tek fëmijët dhe adoleshentët. Baza anatomike e dhimbjeve të mesit mbetet objekt studimesh të mëtejshme. Debatohet ndërmjet origjinës vertebrale (e bashkëlindur apo e fituar) dhe jashtëvertebrale (muskulare, meningeale, viscerale). Megjithatë, ndër format më të shpeshta të dhimbjeve të mesit mbeten ato me origjinë diskale dhe ato me origjinë nga artroza vertebrale (spondyloarthroza). E rëndësishme është të vlerësohet nëse është irrituar nervi shiatik; në një rast të tillë bëhet fjalë për lumboshiatalgji (lumboiskialgji).

 

Simptomat: ngurtësim artikular, sidomos në mëngjes e në mbrëmje në zonën e mesit, vështirësi në përkuljet përpara të shtyllës kurrizore (p.sh. në veshjen e çorapeve), dhimbje dhe ndjenjë tensioni gjatë qëndrimit ulur, nganjëherë hipoestezi (ulje e ndjeshmërisë) në muskujt glutealë (muskujt e të ndenjurave), deficite të motorikës (lëvizshmërisë).

Simptomat mund të shfaqen në mënyrë të menjëhershme, pas një episodi traumatik apo një sforcimi fizik (ngritja e peshave apo një aktivitet sportive), por mund të shfaqen edhe në mënyrë graduale, për disa ditë, pa një shkak të përcaktuar.

Diagnoza: bazohet mbi ekzaminimin klinik nga mjeku specialist, i cili vlerëson nëse duhet kryer një studim radiologjik në projeksionet standard dhe në projeksion oblik (për të përjashtuar ndonjë spondilolistezë), një rezonancë magnetike apo një skaner, me ose pa lëndë kontraste, për të vlerësuar praninë eventuale të një patologjie që shkakton shtypje të nervit, si hernia diskale. Në raste të veçanta mund të kryhet edhe një elektromiografi për vlerësimin e përçueshmërisë nervore të nervave periferikë. 

Trajtimi: përfshin pushimin, për të lehtësuar nga ngarkesa shtyllën kurrizore, stabilizuesit e kolonës për mbështetje (korsetë), përdorimin e barnave antiinflamatorë (antiinflamatorët josteroidë), për të kaluar më pas në përdorimin e barnave kortizonikë (në një rast të tillë duhen vlerësuar mirë kundërindikacionet e mundshme të përdorimit të kortizonikëve, si diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial, kardiopatitë e ndryshme, glaukoma etj.). Mjekimi me barna mund të shoqërohet edhe me fizioterapi, si Tecar®, masazhe, lazer etj. Rezultate shumë të mira janë përftuar nga trajtimet osteopatike (të kryera nga persona të kualifikuar) dhe/ose me gjimnastikë posturale individuale (pacient dhe terapist). Duhet pasur parasysh që, sa herë fillohet një mjekim farmakologjik, duhen marrë masa për fillimi njëkohësisht edhe të mjekimit për mbrojtjen e stomakut.

 

SKOLIOZA

Eshtë një situatë patologjike që përfshin një deviacion lateral dhe rrotullues të shtyllës kurrizore. Nganjëherë rrotullimi përcakton edhe një deformim të kafazit të kraharorit dhe të organeve që përmbahen në të (zemra, mushkëritë dhe diafragma). Skoliozat mund të klasifikohen në varësi të etiologjisë së tyre:

·         80% e tyre janë me origjinë idiopatike (pa një shkak specifik).

·         Skolioza të bashkëlindura, që e marrin origjinën nga defekte të organogjenezës gjatë periudhës embrionale.

·         Skolioza neuromuskulare (nga poliomieliti, osteodistrofia etj.).

Skolioza është rreth 7 herë më e shpeshtë tek femrat se tek meshkujt, dhe mund të shfaqet në moshat nga 3 në 10 vjeç.

 

Simptomat: është një patologji e ngadaltë dhe progressive, përgjithësisht asimptomatike. Shpesh janë prindërit ose pediatri të parët që vënë re që diçka ka ndryshuar në qëndrimin e fëmijës. Në raste të rralla mund të shfaqen shqetësime në kolonën vertebrale apo lodhje muskulare pas sforcimit fizik. Përgjithësisht fëmija është i qetë, fle mirë dhe vazhdon të kryejë normalisht veprimtaritë e tij të përditshme.

Diagnoza: dyshimet lidhur me praninë e kësaj patologjie qartësohen nga një ekzaminim klinik nga ana e ortopedit dhe një radiografi e shtyllës kurrizore nën ngarkesë (në qëndrim në këmbë). Diagnoza diferenciale duhet bërë ndërmjet skoliozës anatomike me rrotullim, dhe të ashtuquajturës “sjellje skoliotike” apo skoliozës funksionale, e cila është një patologji që trajtohet shumë më thjesht, meqë në bazën e saj nuk ka defektet kockore.

Mjekimi: duke pasur parasysh ecurinë e ngadaltë të sëmundjes, këshillohet të kryhet, rreth moshës 5-6 vjeç, një vizitë kontrolli e tipit parandalues. Më pas do të jetë ortopedi ai që do të vendosë nëse duhen kryer ekzaminime të mëtejshme. Kjo patologji duhet diagnostikuar shpejt (maksimumi brenda moshës 13 vjeç). Pas kësaj moshe bëhet e vështirë arritja e rezultateve të mira, sepse kërcet që quhen “kërce të rritjes” fillojnë gradualisht të mbyllen, duke e bërë strukturën kockore që duam të korrigjojmë më pak të “modelueshme”. Pra, kjo është një patologji e cila duhet trajtuar brenda moshës së adoleshencës, me mjekime fizioterapeutike (gjimnastikë posturale), korrigjuese (stabilizues të kolonës - korse) apo kirurgjikale (stabilizime), në varësi të rastit.  

 

SHIATIKU (ISKIALGJIA)

Eshtë një dhimbje e referuar përgjatë anësisë së poshtme, me përhapje prapa dhe anash këmbës. Shfaqet në rreth 2-3% të popullatës dhe në pjesën më të madhe të rasteve është pasojë e patologjive të disqeve ndërvertebrore (herniet diskale). Prek njëlloj meshkujt dhe femrat, me shpeshtësi më të madhe në personat e shëndoshë dhe ata që bëjnë jetë sedentare.

 

Simptomat: pjesa më e madhe e pacientëve kanë pasur më parë dhimbje mesi. Dhimbja fillon në muskulin gluteal, shpesh pa një lokalizim të saktë, e zbret përgjatë kofshës e kërcirit, nganjëherë deri në këmbë. Shpesh dhimbja shfaqet edhe natën dhe mund të përkeqësohet në pozicionin ndenjur. Disa pacientë referojnë një ndjenjë mizërimesh dhe mpirje (ulje e ndjeshmërisë). Në rastet më të përparuara mund të shfaqet mungesë e forcës muskulare dhe një ndjenjë “të ftohti” apo “të nxehti”. Megjithatë, dhimbja është simptoma më e shpeshtë dhe domethënëse. Ajo mund të mos lehtësohet nga asnjë lloj terapie me barna.

Diagnoza: rëndësi ka ekzaminimi klinik për të vlerësuar lëvizshmërinë e këmbëve, reflekset dhe forcën muskulare. Vlerësimi i territorit të përhapjes së dhimbjeve është shumë i rëndësishëm për diagnozën diferenciale me patologji të tjera. Specialisti mund të shfrytëzojë edhe ekzaminimet radiologjike standard, skanerin apo rezonancën magnetike, për të përjashtuar ose jo shtypjen e nervit nga hernia, dhe elektromiografinë për të vlerësuar përçueshmërinë nervore në territoret që inervohen nga nervi shiatik. Nganjëherë (rrallë) shiatiku është simptomë e patologjive më të rëndësishme, si siringomielia, skleroza laterale amiotrofike, proceset tumorale etj.

Trajtimi: trajtimi fillestar është përgjithësisht farmakologjik (me antiinflamatorë josteroidë ose kortizonikë). Vetëm pas kalimit të fazës akute mund të fillohet një fizioterapi, si gjimnastika posturale, trajtimet osteopatike, masazhet dhe fizioterapia. Gjatë viteve të fundit kanë filluar të aplikohen të ashtuquajturat “blloqe analgjezike”, d.m.th. infiltrime në nivel të rrënjëve të nervave të irrituar, me qëllim frenimin e procesit inflamator irritativ. Në rastet kur shiatiku është shkaktuar nga shtypja nga hernia diskale, shpesh zgjidhja është kirurgjikale (heqja e hernies së diskut). Duhet mbajtur parasysh që parandalimi kryhet nëpërmjet ushtrimeve fizike të përshtatshme dhe konstante; nganjëherë mjafton vetëm gjysmë ore në ditë për ta bërë shtyllën kurrizore elastike.

 

HERNIA DISKALE

Eshtë shkaku më i shpeshtë i dhimbjeve lumboshiatalgjike. Disku ndërvertebror përbëhet nga një unazë fibroze (pjesa periferike) dhe nga nukleusi pulpoz. Nga këndvështrimi fiziologjik, nukleusi pulpoz, ngaqë është shumë i pasur me ujë, luan rolin e amortizatorit, rishpërndan forcat dhe shërben si pikëmbështetje për trupat e vertebrave. Gjatë formimit të hernies ky ekuilibër prishet; është e mundur që nën veprimin e faktorëve stresantë të ndodhë zhvendosje e substancës së nukleusit. Pasi disku  hernion, materiali i herniuar mund të bjerë në kontakt me nervat që ndodhen në brendësi të kanalit vertebral. Në varësi të zhvendosjes së materialit të herniuar, dallohen:

·         Hernia e përmbajtur (e kufizuar): ligamenti posterior i paprekur.

·         Hernia e dalë: ligamenti ndërpritet, nga dalja e materialit herniar.

·         Hernia krejtësisht e dalë: materiali i herniuar del deri në kanalin vertebral.

Nga këndvështrimi anatomik, radiksi nervor, nën shtyrjen e hernies, duket i spostuar, i shtypur dhe me vëllim të shtuar, si pasojë e enjtjes që shkaktohet nga procesi inflamator-mekanik.

  

Simptomat: në varësi të faktit nëse hernia ka lokalizim cervikal apo lumbar, simptomatologjia e dhimbjeve ndryshon, varësisht rajonit që inervon nervi i prekur. Simptomat ndryshojnë edhe në vartësi të llojit të  hernies. Në rastin e hernieve cervikale do të shfaqen dhimbje përgjatë trajektores së pleksit brakial (cervikobrakialgji), mpirje, ulje të forcës muskulare dhe kontraktura muskulare të muskulit trapezius. Në rast të hernieve lumbare dhimbja shfaqet përgjatë trajektores së nervit shiatik ose atij femoral, shfaqen mpirje, ndryshime të ndjeshmërisë së temperaturës (ndjenjë e të ftohtit apo të nxehtit), ulje e forcës muskulare dhe çalim. Në të dy rastet dhimbja është e pranishme edhe gjatë natës dhe në qetësi dhe shpesh është rezistente ndaj mjekimeve me barna. Duhet theksuar që në rastet që simptomat e mpirjeve apo mungesës së forcës vazhdojnë për një kohë të gjatë, duhet kryer sa më parë një vizitë tek mjeku ortoped apo neurokirurg. Duhet bërë kujdes: nervi shiatik i dëmtuar për një kohë të gjatë mund të mos kthehet më në 100% të efektshmërisë së tij edhe pas heqjes së shkakut të dëmtimit.     

Diagnoza: ka shumë rëndësi që pacienti të vlerësohet klinikisht me kujdes nga ana e mjekut specialist. Manovrat diagnostike, si shenja e Dandy, e Lasegue, e Valleix dhe vlerësimi i refleksit patelar dhe akilien mund të japin një orientim të saktë për shkakun e dhimbjeve. Gjithmonë duhet kryer një ekzaminim radiologjik standard (i vlefshëm sidomos për diagnozën diferenciale), një ekzaminim me skaner dhe/ose rezonancë magnetike, me ose pa përdorim të lëndëve kontraste. Ka vlerë edhe ekzaminimi elektromiografik. 

Trajtimi: fillimisht tentohet trajtimi konservativ dhe rehabilitues, me barna antiinflamatorë josteroidë dhe/ose kortizonikë, si dhe pushim në shtrat për të “lehtësuar” shtyllën kurrizore. Nëse problemi akut zgjidhet, këshillohet fillimi i një fizioterapie reabilituese, për forcimin gradual të muskujve paravertebralë dhe të barkut. Nëse gjendemi përballë një hernie të madhe ose të dalë, mundësia e suksesit të mjekimit konservativ është shumë e vogël. Në raste të tilla pacienti i nënshtrohet kirurgjisë, e cila tenton të heqë hernien lumbare apo cervikale nëpërmjet teknikave kirurgjikale të ndryshme (mikrodiskektomi, dekomprimim, diskektomi perkutane etj.).

 

FRAKTURAT (THYERJET) E VERTEBRAVE

Problematika e frakturave vertebrale lidhet me tre koncepte bazë: deformimi, paqëndrueshmëria dhe dëmtimi neurologjik. Ky i fundit mund të jetë dëmtim i palcës ose i radikseve nervore. Deformimi është pasojë e drejtpërdrejtë e traumës; mund të shfaqet një kuneizim i plotë ose i pjesshëm i trupit të vertebrës, një shtypje e plotë e trupit vertebror ose e trupit bashkë me diskun, apo një shkëputje e lehtë e një pjese kockore të vertebrës. Paqëndrueshmëria vertebrale mund të përkufizohet si humbje e aftësisë së shtyllës kurrizore për të ruajtur raportet normale ndërmjet vertebrave. Ky faktor shkakton prishje të raporteve artikulare, me pasojë dëmtime të ndryshme kapsulo-ligamentoze. Dëmtimi neurologjik nënkupton dëmtimin e një strukture nervore (palcës kurrizore). Palca dëmtohet gjatë frakturave më të rënda dhe invalidizuese, gjatë të cilave ndodh një zmadhim i diametrit antero-posterior të trupit të vertebrës, me pasojë ngushtimin e kanalit medular dhe shtypjen e palcës.

  

 Nërastin e këtyre frakturave shpesh ndodh të mos ketë përputhje ndërmjet rëndesës së simptomave neurologjike dhe shkallës së dëmtimit skeletik. Dëmtimi i palcës mund të ndodhë edhe nga prania e fragmenteve kockore ose diskale në kanalin vertebral apo nga deformimi i shtyllës kurrizore, si pasojë e frakturave apo luksacioneve. Eshtë e kuptueshme që sa më i lartë të jetë niveli i frakturës apo luksacionit (p.sh. në pjesën cervikale të kolonës), aq më e rëndë do të jetë simptomatologjia dhe aq më e keqe prognoza e dëmtimit. Tek gratë në moshë të shkuar dhe me sëmundje osteoporotike nganjëherë mund të shfaqet e ashtuquajtura “shembje vertebrale apo fraktura kompresive”, gjatë së cilës vertebrat fillojnë të humbasin lartësinë e tyre normale.  

Simptomat: dhimbjet ndryshojnë në varësi të rëndesës së dëmtimit. Gjatë frakturave kompresive dhe frakturave të trupit të vertebrës, pa prekje të palcës kurrizore, shfaqet një simptomatologji e dhimbshme, e cila ndryshon në varësi të traktit nervor të interesuar. Kjo dhimbje lehtësohet gjatë qëndrimit shtrirë në shtrat. Në raste të rralla mund të shfaqen fenomene radikulare periferike apo humbje e forcës muskulare. Gjatë frakturave që interesojnë palcën kurrizore simptomatologjia është shpesh dramatike, me mungesë të theksuar të forcës motore muskulare, pamundësi për lëvizje të anësive, humbje të kontrollit të organeve të ndryshme deri në paralizë (paraplegji apo tetraplegji).

Diagnoza: dëmtimi vertebral duhet diagnostikuar sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë ekzaminimit klinik specialisti duhet të vlerësojë dhimbjen, territorin e përhapjes së simptomave të dhimbshme, defiçitet e mundshme periferike dhe reflekset. Eshtë e rëndësishme të kryhet një ekzaminim radiologjik në tre projeksione, një skaner dhe një rezonancë magnetike. Frakturat që interesojnë edhe palcën kurrizore diagnostikohen në repartet e urgjencave dhe trajtohen në reparte të specializuara.

Trajtimi: Në rastet e frakturave pa prekje të palcës shpesh mjafton një pushim në shtrat për dy javë dhe një korse e thjeshtë (për frakturat lumbare) ose me tre pika (për frakturat dorso-lumbare) për rreth dy muaj. Në disa raste të frakturave cervikale këshillohet qëndrim në shtrat pa jastëk dhe qafore stabilizuese. Më vonë vazhdohet me fizioterapi (masazhe, Tecar, riedukim motor) dhe gjimnastikë në ujë. Gjatë frakturave me prekje të palcës kurrizore, siç e thamë edhe më lart, pacienti duhet trajtuar në mjedise shumë të specializuara, shpesh për periudha të gjata kohe.

Në rastet e frakturave me dëmtim të rëndë të kufijve të trupave vertebrorë, në tumoret që kanë prekur vertebrat dhe në frakturat kompresive, nganjëherë mund të indikohet vertebroplastika, që është injektim i një cementi special në brendësi të trupit të vertebrës, për t’i dhënë qëndrueshmëri dhe fortësi vertebrës së interesuar.  

 

PROBLEME TE TJERA TE SHTYLLES KURRIZORE

 

Spondilolisteza: është rrëshqitja e një vertebre mbi tjetrën si pasojë e një defekti anatomik (në pjesën më të madhe të rasteve të lindur). Përgjithësisht rrëshqitja ndodh ndërmjet vertebrave L5-S1. Simptomat: dhimbje mesi, mpirje, humbje e forcës muskulare. Diagnoza: radiografi laterale ose oblike, skaner ose rezonancë magnetike. Trajtimi: stabilizuese të kolonës dhe fizioterapi. Në rastet e përparuara kirurgji (stabilizim i kolonës me pllaka dhe vida metalike).

             

 

Disciti: është infeksion i diskut ndërvertebror me origjinë bakteriale, traumatike, pas plagëve apo ndërhyrjeve kirurgjikale. Simptomat: temperaturë e lartë, dhimbje të forta, rritje e eritrosedimentit. Diagnoza: skaner me kontrast, analiza të gjakut, radiografi. Trajtimi: antibiotikë, stabilizim i kolonës, pushim absolut. Nganjëherë vepron mirë edhe kirurgjia. Ecuria është shumë e gjatë, nganjëherë edhe 3 muaj.

 

Hernia e Schmorl: bëhet fjalë për dëmtime vertebrale kockore, që shihen rastësisht gjatë radiografive, skanerit apo rezonancës magnetike. Disku ndërvertebral hernion nëpërmjet pikave të dobëta të trupave vertebralë. Shpeshtësia: rreth 10% e popullatës. Përgjithësisht është asimptomatike.

 

Stenoza vertebrale: është ngushtim i diametrit të kanalit vertebral, përgjithësisht pasojë e fenomeneve degjenerative të lidhura me moshën. Preken më shumë anësitë e poshtme, me shenja çalimi, mizërime (nganjëherë edhe të rënda), ndryshime të ndjeshmërisë dhe disfunksione të tipit visceral. Trajtohen me cikle fizioterapie. Në raste të rënda nganjëherë mund të kryhet dekomprimimi kirurgjikal i radikseve nervore.

 

Skiza vertebrale: është mungesë e saldimit të laminave kockore të proceseve spinoze. Përgjithësisht nuk shkakton dhimbje, ndonëse nganjëherë mund të japin një dhimbje mesi të lehtë. Mjekimi është simptomatik, me përdorim eventual të stabilizuesve të kolonës dhe gjimnastikë posturale. 

Go to top