Artid Duni MD, PhD.

Orthopaedic Surgeon

 

PROTEZA KOKSO-FEMORALE

 

Çfarë ështëkoksartroza?

Artroza kokso-femorale ose koksartroza është sëmundja më e zakonshme që mund të kapë artikulacionin kokso-femoral të një personi të rritur. Eshtë një sëmundje kronike, degjenerative e cila vjen gradualisht dhe çon në kufizim progresiv të aftësisë së lëvizjes brënda disa vitesh. Mund të përkufizohet si një lloj "konsumimi" i pjesëve të artikulacionit, në të cilën shtresa e kartilagos (kërcit) që mbulon kokën e femurit dhe kavitetin acetabular hollohet gradualisht deri sa zbulohet kocka që është nën të. Kjo reagon duke prodhuar pjesë të vogla me majë të dala që quhen osteofite. Në fazat më të përparuara të sëmundjes, kapsula artikulare bëhet më e trashë dhe muskujt tkurren derisa krijojnë deformimet që karakterizojnë koksartrozat e vjetra.

Kush sëmuret më shumë?

Koksartroza është një sëmundje tipike e moshave të kaluara (mbi 60 vjeç), e cila, në formën primare (kur shkaku nuk është i njohur) kap më shumë meshkujt. Në raste të formave dytësore, pra që vijnë si pasojë e një patologjie egzistuese, mosha e shfaqjes së sëmundjet ulet deri në 30-40 vjeç dhe kap më tepër femrat pasi është e lidhur me displazine e artikulacionit koksofemoral.

Cilat janë shkaqet?

Koksartroza primare është një sëmundje për të cilën nuk dihen shkaqet. Me shtimin e njohurive mbi sëmundjen, rastet e pacientëve me koksartrozë primare do të reduktohen. Sot, në krahasim me ç’farë ndodhte para dhjetë vjetësh, vetëm pak koksartroza mund të quhen primare. Koksartroza dytësore varet pothuajse gjithmonë nga ç’rregullime lokale (thyerje të kockave, nekrozëe kokës së femurit, displazi e artikulacionit, bllokim acetabulo-femoral, sëmundja e Perthes, sëmundja e Paget) dhe rrallë nga çrregullime sistemike (sëmundja e Cushing, përdorimi për një kohë të gjatë i kortizonikëve, sëmundje dismetabolike).

 

Si shfaqet?

Pazienti me koksartrozë paraqet një dhimbje tipike (koksalgji), të lokalizuar në zonën inguinale dhe nganjëherë edhe në zonën gluteale. Shpesh dhimbja përhapet gjatë pjesës së përparme të kofshës deri në gju. Meqenëse origjina e dhimbjes është kryesisht mekanike, kjo provokohet gjatë ecjes dhe nga lëvizjet e artikulacionit në përgjithësi, ndërsa lehtësohet gjatë pushimit. Dhimbja e shkaktuar nga ngarkesa bën që pacienti të mbështetet më pak në anën e këmbës së sëmurë. Dhimbja gjatë ecjes provokon në mënyrë reflektore kontraktimin e muskulaturës. Vërehet se si pacienti nuk arrin të rrotullojë këmbën ne fillim nga ana e brëndshme dhe më vonë edhe lëvizjet e tjera si p.sh. veshja e këpucëve bëhen të pamundura. Në fazat më të përparuara konsumimi i veshjes kartilagjinoze të pjesëve artikulare mund të shkaktojë shkurtim të kembës së sëmurë deri më shumë se 1 cm.

Cilat janë egzaminimet e nevojshme?

Diagnoza e koksartrozës (dhe sidomos klasifikimi i saj) është radiologjike. Eshtë e mjaftueshme një radiografi në dy pozicione standard (antero-posteriore e legenit dhe aksiale e artikulacionit) për të vënë në evidencë katër shenjat radiologjike fondamentale të artrozes: zvogëlim i hapësirës artikulare, shtim i densitetit të kockës, geode dhe osteofite.

                                       

 

Artikulacion i shëndoshë                 Artikulacion me koksartrozë

 

Si kurohet?

Sot zgjidhja më efikase është protezimi i artikulacionit kokso-femoral të sëmurë. Sidoqoftë kohëzgjatja e limituar e protezave (që është një problem real për pacientët më të rinj) dhe invaziviteti i konsiderueshëm i operacionit bëjnë që kjo lloj ndërhyrje të jetë e këshilluar për format më të përparuara, që janë të karakterizuara nga një keqësim i cilësisë së jetës dhe përdorim të shpeshtë të ilaçeve kundër dhimbjes. Terapia farmakologjike është paliative dhe duhet kryer mundësisht në mënyrë ciklike dhe jo të vazhdueshme, për të qetësuar dhimbjet e pacientit që nuk është për tu operuar (pasi ka akoma simptoma jo shumë të forta ose është i paoperueshëm).

Ilaçet që përdoren më shumë janë anti-inflamatorët/anti-dhimbje, ndërsa disa integratorë mund të ngadalësojnë degjenerimin e indit kartilagjinoz por nuk është akoma shumë e qartë nëse kanë vërtet një efekt përmirësues. Ky artikulacion ndodhet në thellësi dhe është e vështirë të arrihet nëpërmjet lëkurës me injeksione. Marrja e ilaçeve me rrugë sistemike është mënyra më efikase. Terapia infiltruese është e këshillueshme vetëm në raste shumë të veçanta dhe është kompetencë e specialistit ortoped. Po ashtu terapitë fizike (lazer, ultratingujt, elektroforeza etj) janë zakonisht jo efikase. Në personat e shëndoshë, rënia nga pesha jep përmirësime të mëdha dhe mund edhe të ngadalësojë evolucionin e dëmtimit artikular, ndërsa një aktivitet fizik i moderuar pa ngarkesa (not, biçikletë) lejon që të ruhet lëvizshmëria dhe toni muskular, duke ngadalësuar shfaqjen e rigiditetit. Natyrisht aktiviteti fizik me pesha, si vrapimi dhe sporte të tjera më të rënda duhen evituar, pasi mund të përshpejtojnë  dëmtimin e kartilagos artikulare.

Ç’farë është proteza e kokso-femorale?

Proteza totale kokso-femorale është një artikulacion artificial i realizuar nga lidhja e disa metaleve, materiale plastike dhe qeramike që zëvendëson artikulacionin e sëmurë, duke eliminuar burimin e dhimbjes në mënyrë efikase dhe të vazhdueshme. Proteza është e përbërë nga një kupë që vendoset në gropën e acetabulit (në kockën e legenit) dhe një kunj që vendoset në kockën e femurit. Tek kunji montohet një kokë protezike prej metali ose qeramike e cila do të artikulohet me sipërfaqen e brëndshme të kupës.  

Fiksimi i pjesëve e cila më përpara bëhej vetëm me çimento akrilike, sot është më shumë biologjike, pra nga infiltrimi i kockës në sipërfaqen poroze të elementeve të protezës. Kjo quhet proteza e pa çimentuar. Në raste të veçanta, si osteoporozë e rëndë, proteza e çimentuar është zgjidhja më e sigurt.

 

 

Kur është i këshilluar operacioni?

Kjo lloj ndërhyrje kirurgjikale është e këshilluar në të gjitha rastet e koksartrozave primare apo dytësore në momentin kur simptomatologjia nuk mund të kontrollohet me kurime mjekësore dhe fizioterapi. Edhe artiriti (artriti reumatoid, spondiliti ankilozant, artriti psoriazik) mund të kenë nevojë për një ndërhyrje protezike kur artikulacioni është dëmtuar rëndë. Proteza është e këshilluar edhe në rastet më të përparuara të nekrozës së kokës së femurit, kur nuk është më e mundur që të shpëtohet artikulacioni. Proteza kokso-femorale mund të vendoset edhe në rast të frakture të qafës së femurit. Në këtë rast, nëse artikulacioni nuk është artrozik dhe pacienti është shumë i moshuar, një protezë parciale (vetëm femorale) është e preferueshme, pasi mund të vendoset me një operacion më pak invaziv.

Si kryhet operacioni?

Ndërhyrja kirugjikale e protezës kokso-femorale mund të realizohet në disa mënyra (të përparme, laterale dhe të pasme). Nuk egziston një mënyrë ideale dhe varet në radhë të parë nga eksperienca personale e kirurgut.

Në një proteze standard qafa dhe koka e femurit hiqen dhe zëvendësohen të dyja me protezë..

 

Kunji vendoset në brëndësi të kanalit të kockës së femurit, pasi ky i fundit është përgatitu r në mënyrë të posaçme. Në të njëjtën mënyrë kupa vendoset në brëndësi të acetabulit pasi hiqet kartilago që ka mbetur. Në përgjithësi në protezat e pa-çimentuara vendoset një kupë pak më e madhe në gropën e acetabulit të përgatitur, duke bërë të mundur një mbërthim “me presion” që garanton stabilitetin. Nëse kocka nuk është rezistente në mënyrë të mjaftueshme, siç ndodh në rastet me osteoporozë të rëndë, mund të jetë e nevojshme të vendosen disa vida për ta mbërthyer më mirë.

 

Radiografi para dhe pas operacionit

 

 

Cilat janë rreziqet?

Proteza kokso-femorale është një operacion shumë frekuent dhe pacientët janë shumë të kënaqur në përgjithësi. Megjithatë, është një ndërhyrje kirurgjikale e rëndësishme dhe si e tillë ka edhe rreziqet e saj, të cilat duhet të jenë të qarta për pacientin para se të hyjë në sallën e operacionit. Tre janë rreziqet më të mëdha:

1.      Infeksioni i indeve rreth protezës; është ndërlikimi më i rëndësishëm, pasi sipërfaqja metalike e impiantit përbën një terren ideal për rritjen e baktereve larg nga mbrojtja imunitare e organizmit. Infeksioni ndodh në 0,5-3% të rasteve, edhe nëse është mbajtur një sterilitet optimal, është kryer një proçedurë kirurgjikale korrekte dhe është bërë një profilaksi antibiotike adekuate. Diabeti i sheqerit dhe kushtet e një imunodefiçence e rritin rrezikun në mënyrë sinjifikative. Megjithëse pjesa më e madhe e infeksioneve ndodh menjëherë pas operacionit, egziston mundësia që një infeksion të shfaqet edhe pas disa vitesh. Trajtimi bëhet pothuajse gjithmonë nëpërmjet një ndërhyrje kirurgjikale duke pastruar plagën, nëse kryhet në javët e para pas implantit, por mund të ketë nevojë edhe për një zëvendësim të protezës nëse infeksioni bëhet kronik, apo kur fillon pasi ka kaluar shumë kohë nga operacioni i vendosjes së protezës.

2.      Tromboza venoze; me rrezikun e një embolizmi polmonar, ka një frekuencë shumë të ulët me protokollet aktuale të parandalimit (që parashikojnë përdorimin e ilaçeve antikoagulantë dhe të çorapeve elastike gjatë gjithë periudhës pas operacionit). Megjithëse flebografia (e cila bëhet vetëm për motive të kërkimeve shkencore dhe jo si routinë) ka treguar që rreth 15% e pacientëve zhvillon njëfarë bllokimi venoz, dhe vetëm në raste të rralla kjo bëhet simptomatike. Vetëm në raste të jashtëzakonshme tromboza e venës së këmbës mund të shkaktojë një emboli polmonare. Të njëjtat ilaçe që përdoren për parandalimin mund të përdoren edhe me dozazh të rritur në terapinë e këtij komplikimi.  

3.      Luksacioni është spostimi i kokës së femurit jashtë kupës. Kjo mund të ndodhë në periudhën pas operacionit në rast se pacienti kryen disa lëvizje siç janë përthyerja e lëllkut më shumë se 90° dhe kryqëzimi i këmbëve (hedhja këmbë përmbi këmbë kur je ulur në karrige). Këto lëvizje janë rreptësisht të ndaluara në 6 javët e para pas operacionit. Mungesa e tonit muskular është faktor predispozicioni për këtë ndërlikim i cili për fat të mirë zgjidhet shpesh me manovra ortopedike që bëhen me anastezi pa qënë nevoja për ndërhyrje kirurgjikale.

Si është periudha pas-operacionit?

Pas operacionit pacienti qëndron i shtruar në repart për një periudhë kohe normalisht prej 7 ditësh. Lëvizja fillon zakonisht në ditën e dytë me ndihmën e patericave për të evituar ngarkesë mbi këmbën e operuar. Në implantet e çimentuara është e mundur që patericat të hiqen para kohe, menjëherë pasi janë shëruar indet e buta (brënda 2 javësh), ndërsa në protezat e pa-çimentuara është e preferueshme të pritet 4-6 javë për të mos ngadalësuar proçesin e integrimit të kockave me protezën. Rehabilitimi menjëherë pas operacionit ka si synim fillimin e lëvizjes duke e mbështetur lehtë këmbën e operuar si dhe ushtrime për të mbajtur një ton muskular adekuat. Pas 6-8 javësh, në prezencë  të një ecurie të rregullt, pacienti mund të kthehet në aktivitetin e një jete normale.

Sa është kohëzgjatja e një proteze kokso-femorale?

Protezat që janë aktualisht në dispozicion kanë një kohëzgjatje prej 15 vitesh, por variabiliteti individual është shumë i madh. Pesha trupore dhe lloji i aktivitetit fizik kanë një rëndësi të madhe në kohëzgjatjen e protezës. Një pacient i moshuar, i dobët, që nuk ka nevojë për lëvizje të mëdha dhe nuk kryen shumë aktivitet fizik, mund të themi se proteza e tij do të jetë për gjithmonë. Por nuk është e njëjta gjë për një të ri, aktiv dhe të shëndoshë i cili është e mundur të ketë nevojë për një operacion të dytë të vendosjes së një proteze të re me kalimin e kohës.

Go to top